Rreth 5 vite pas tërmetit, që shkaktoi dëme të konsiderueshme në një pjesë të madhe të godinave arsimore publike të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm, Durrësi e nis këtë vit të ri shkollor me insfrastrukturën shkollore thuajse tërësisht funksionale. Janë një numër i konsiderueshëm shkollash në qytet dhe njësi administrative, që do të hapin dyert brenda shtatorit.
“Në këtë fillim viti shkollor kemi lajme shumë të mira. Hapen institucione arsimore të rikonstruktuara dhe të rindërtuara. Kemi shkollën 9-vjeçare “14 nëntori”, që hap dyert për nxënësit e saj, gjimnazet “Naim Frashëri”, “Dom Nikollë Kaçorri” dhe shkollën e mesme të bashkuar të Katundit të ri “Isuf Hoti”. Mbetet brenda shtatorit të futen në institucionet e tyre arsimore nxënësit e shkollës “Demokracia” dhe “Riza Shera” në Radë. Gjithashtu pritet të përfundojë dhe gjimnazi i Manzës.”,- thotë për “DurrësLajm” drejtoresha e ZVA Amarilda Thërmija.
Në shkollën e mesme sportive “Benardina Qerraxhia” punimet vijojnë me ritme të larta dhe shumë shpejt edhe ky institucion arsimor do të mirëpresë gjimnazistët. Me hapjen e të gjitha shkollave të reja, procesi mësimor nuk zhvillohet më pasditeve, duke evituar kështu për nxënësit, stafet mësimore dhe prindërit një fenomen negativ të 5 viteve të fundit. E vetmja shkollë, fati i së cilës nuk dihet ende është shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti”.
“Ne presim një miratim projekti nga qeveria shqiptare në bisedime bashkë me bashkinë. Na është thënë që shumë shpejt do të dalin me një projekt përfundimtar të gjimnazit “Gjergj Kastrioti.”,- thotë Thërmija.
Nga data 1 korrik hyri në fuqi rritja e pagave për punonjësit e institucioneve arsimore të sistemit parauniversitar çka ka bërë që shumë të rinj t’i drejtohen portalit “Mësues për Shqipërinë” për t’u punësuar.
“Profesioni i arsimtarit është bërë një profesionet më të kërkuara në tregun e punës. Ne kemi në portal, që sapo mbyllëm 2000 aplikantë, të të gjitha profileve. Janë punësuar shumica e këtyre aplikantëve dhe po punojmë për të plotësuar të gjitha nevojat e shkollave me stafet e të gjitha profileve”.
Në datën 9 shtator, të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar publike dhe jopublike hapin dyert për vitin e ri shkollor. Në bashkinë Durrës janë rreth 1800 vogëlushë, që ulen për herë të parë në bankat e shkollave, ndërkohë që janë 1382 nxënës që do të frekuentojnë klasat e 10-ta në gjimnazet e qytetit.
M.B.