Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një formë të veçantë urimi me rastin e fillimi të vitit të ri shkollor 2018-2019.
Përmes një statusi në ‘Facebook’, kreu i qeverisë thekson se pas një lufte afro 15-vjeçare me ata që morën padrejtësisht shkollën 9-vjeçare ‘Kosova’, tashmë ky institucion ka rilindur. Sipas Ramës, kjo shkollë është simbol i historisë së Tiranës, i cila do të inaugurohet sot me rastin e kësaj dite të shënuar.
Po ashtu në videon në fjalë shihet edhe një nga personazhët e dashur për publikun shqiptar, këngëtari dhe moderatori Ardit Gjebrea.
Ky i fundit ka qenë një nga nxënësit e shkollës ‘Kosova’, ndërsa nuk ngurron që të shprehë emocionet për ndryshimet që ka pësuar ai vend me kalimin e viteve.
STATUSI
MIRËMËNGJES 
dhe pas një lufte afro pesëmbëdhjetë vjeçare, me ata që e morën padrejtësisht si pronë, me ata që e dogjën, pabesisht si godinë, me ata që përmes gjykatësish të korruptuar donin ta kthenin këndin e saj historik në pallat, kam kënaqësinë t'ju uroj të gjithëve një vit të gëzuar e të suksesshëm shkollor, me "Kosovën" e rilindur, shkollën simbol të historisë së Tiranës që sot u hap fëmijëve dyert e të ardhmes, si mishërimi i ambicies sonë për Tiranën që duam, për Shqipërinë që duam





