Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan masash për rendin dhe sigurinë gjatë ndërrimit të viteve. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Mitat Tola thotë se nuk do të tolerohet asnjë shofer i dehur dhe të gjithë do të shkojnë në burg.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Tola thotë se do të ketë tolerancë zero për të gjithë ata që i japin makinës në gjendje të dehur. “Mbi masën 0.5 % të alkoolit, të gjithë do shkojnë në burg, pa përjashtim”.

Tola u shpreh se janë porositur në mënyrë të veçantë të gjithë shefat e Qarkullimit që të mos kursehen në kryerjen e testeve të alkoolit për të gjithë drejtuesit e mjeteve, në rrugët hyrëse e dalëse të qytetit. Gjithashtu edhe në rrugët pranë lokaleve ku festohet dhe konsumohet pije alkoolike. Akset rrugore dhe autostradat do të jenë të përforcuar me forca lëvizëse operacionale, kryesisht FNSH.

Plani i masave hyn në fuqi që ditën e sotme dhe do të përfundojë mbrëmjen e 3 janarit të vitit 2016. Synimi i këtij plani ka të bëjë me faktin për të ulur numrin e aksidenteve me vdekje.