Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit ka hapur dyert për regjistrimet e vitit të ri akademik 2021-2022.

Prej ditës së djeshme në UAMD po zhvillohen regjistrimet e fazës së parë të raundit të parë për studentët fitues.

Studentët e rinj kanë kohë deri më 15 shtator që të regjistrohen në universitet, sipas programeve respektive të studimit. Megjithatë, procesi i regjistrimit zgjat vetëm dy ditë, pasi periudha e regjistrimit prej 13 ditësh është ndarë në shtatë faza, me nga dy ditë secila (48-orë).

Në rastin e mosparaqitjes brenda ditës së sotme, fituesit e fazës së parë e humbin të drejtën e regjistrimit në programin ku janë shpallur fitues. Procesi i regjistrimit kryhet pranë sekretarive të fakulteteve, që ofrojnë programin e studimit ku ata janë shpallur fitues.

Në përfundim të fazës së parë, sekretaritë e fakulteteve bëjnë pastrimin e listave nga maturantët fitues, të cilët nuk janë regjistruar, duke u mundësuar kështu regjistrimin maturantëve të tjerë në renditje, deri në plotësimin e kutoës së programit të studimit.