Në muajin maj të vitit të ardhshëm pritet të ketë përfunduar shtrimi i rrjetit të ri për furnizimin e qytetit, i cili do të sjellë gati tre herë më shumë ujë. Në takimin e zhvilluar në pallatin e kulturës, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako tha se ne kemi aktualisht një mirëmenaxhim të ndërmarrjes së Ujësjellësit, pasi të gjithë treguesit e saj janë në rritje të dukshme.
Ndërmarrja aktualisht ka dyfishuar arkëtimet në krahasim me vitin e kaluar, së bashku me kontratat e reja, matësit e rinj, faturimin etj. Ndërmarrja ka realizuar më shumë se 1 milion dollarë arkëtime më shumë se viti 2017 vetëm në 3-mujorin e parë të këtij viti. Dako shtoi se më këto ritme, "Ujësjellësi brenda një viti do t’ia dalë më në fund që pas 30 vjetësh të eci me këmbët e veta, pasi siç e dini shumë mirë, Durrësi fatkeqësisht ka koston më të lartë në vend për prodhimin e ujit me një faturë energjie elektrike rreth 500 mijë dollarë në muaj".
Kryebashkiaku Dako i është përgjigjur një ankese nga qytetarët në lidhje me furnizimin me ujë të fshatit Rinia, duke u shprehur se "edhe një vit do të duhet të presim, pasi në maj të vitit 2019 do të ketë përfunduar investimi i ri. Për këtë arsye do të mundohemi ta menaxhojmë më mirë situatën gjatë kësaj vere duke qenë pranë qytetarëve dhe vitin e ardhshëm do të kemi 3 herë më shumë ujë sesa sot".





