*Për të gjithë të apasionuarit e librit, "Durrës Lajm" sjell titujt e rinj që mund të gjeni në libraritë e qytetit.

“Ylber hëne”- Emmanuelle Pagano

Një roman jashtëzakonisht prekës dhe emocionues mbi kujtesën, dhimbjen dhe dashurinë.

Adela është shoferja e autobusit të shkollës; çdo ditë ajo sfidon pllajën e lartë malore duke shoqëruar në shkollë disa fëmijë që jetojnë në shtëpi të izoluara.

Shtëpi që ngjajnë me “fermën e fundit”, ku ajo është rritur, e që një liqen artificial e ka fshirë nga faqja e dheut së bashku me fëmijërinë e saj. Atëherë, Adela ishte një djalë i vogël ose më saktë “një vajzë në trupin e një djali”. Kur u kthye në qytezë, pas operacionit të saj, askush nuk e njohu. Njerëzit e mirëpritën dhe i dhanë punë. Ajo tashmë punon si shoferja e autobusit të shkollës, merr e çon rreth dhjetë fëmijë e adoleshentë, disa vëllezër e motra, historitë e të cilëve përzihen me të sajën.

Vajzat e reja që ajo shoqëron me autobus janë një pasqyrë e dhimbshme: njëra ngjason shumë me adoleshenten që Adela do të kishte dashur të ishte, gazmore, sensuale, e dashuruar; një tjetër është një motër e madhe,shumë e kujdesshme ndaj vëllait të vogël. Adela nuk ka qenë kurrë motra e madhe.

Akseli, vëllai i vogël, nuk e kupton. U bënë dhjetë vjet që ai nuk pranon ta takojë e as t'i flasë, derisa një aksident në punë e detyron të shtrohet në spital. Bashkë me dorën, edhe diçka tjetër brenda tij është thyer, e dialogu mes tyre nis sërish. Ky roman është analizuar edhe nga akademikë të ndryshëm ndërkombëtarë, që studiojnë përfaqësimet e transgjinorëve në kulturë. Ai është fitues i Çmimit Europian të Letërsisë (2009), i çmimit Télérama/France Culture, i Çmimit Lavinal të Pranverës së Lexuesve, i Çmimit të Librarëve Francezë, i çmimit Marguerite Audoux, i çmimit Rosine Perrier e të tjerë.

 “Marsiani”- Andy Weir

Një mision në Mars, një aksident i tmerrshëm, lufta e një njeriu për mbijetesë

GJASHTË DITË MË PARË, astronauti Mark Uatni u bë një nga njerëzit e parë që u ul në Mars. Tani, ai është i sigurt se do të jetë njeriu i parë që do të vdesë atje. Pas një stuhie të fuqishme rëre, që e detyron ekuipazhin të largohet nga planeti, me idenë se kolegu i tyre ka vdekur, Marku e gjen veten të izoluar në Mars dhe nuk ka asnjë mënyrë për t’u lidhur me Tokën që të njoftojë se është gjallë. Edhe sikur të arrinte të komunikonte, furnizimet ushqimore do t’i mbaroheshin disa vite para se në Mars të mbërrinte një mision shpëtimi.

 

Makineritë e dëmtuara, terreni i ashpër apo edhe gabimet njerëzore, mund t’ia marrin jetën më parë. I armatosur vetëm me dijet e tij, aftësitë inxhinierike dhe sensin e humorit, që është burimi i tij i forcës, Marku fillon një luftë për mbijetesë. A do të mundet ai t’u bëjë ballë pengesave të shumta që do t’i dalin përpara?

"Kebaria, vajza që lexonte bukur"- Janja Vidmar

Kebarie apo Kedi, siç e thërret babai i saj, është një vajzë rome, nga një kulturë tjetër, e cila shkon në një shkollë sllovene afër vendit ku jeton familja e saj. Ajo grindet shpesh me shokët e klasës, me mësuesen dhe këdo që e sheh si një rome, ndryshe nga të tjerët. Por ajo nuk ndihet mirë as në familje, sepse të gjithë i fshehin të vërtetën për të atin.

Historia, e ndarë sipas ditëve të javës, është shumë tërheqëse për lexuesit e rinj. Sidomos rrëfimi dinamik dhe plot befasi nga jeta e shkollës, plot aventura dhe me një gjuhë të pasur me shprehje rome, një histori që mbart mesazhe të forta rreth dallimeve midis njerëzve dhe mirëkuptimit midis tyre, dialogut multikulturor dhe shumëgjuhësisë, duke vënë në krye vlera themelore të njeriut, si dashuria, e vërteta, besnikëria etj.

Me gjithë sjelljen e vrazhdë të të rriturve, Kebaria ndihet e lirë, ajo ëndërron të bëhet mësuese me zemrën "si një libër i hapur" dhe me nxënës të cilët ajo do t'i mësojë njësoj, ngado që të vijnë…