*Për të gjithë të apasionuarit e librit, "Durrës Lajm" sjell titujt e rinj që mund të gjeni në libraritë e qytetit.
“Mbiemri i ri”- Elena Ferrante
“Mbiemri i ri” është vëllimi i dytë i sagës napolitane, e cila fillon me romanin jashtëzakonisht të suksesshëm, “Mikesha gjeniale”. Elena rrëfen historinë e jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës, me të cilën është njohur e shoqëruar që në klasë të parë. Lina Çerulo, e sapomartuar, është tashmë një grua në grackë, e tradhtuar, e poshtëruar, e njëkohësisht e paharrueshme për lexuesit, si një Bovari moderne. Lagjja e varfër dhe e ndotur ku ajo dhe Elena janë rritur bëhet një prani gjithnjë e më e dhunshme, një personazh në një sagë që drithëron me personazhet plot jetë e vërtetësi. Libri i dytë fillon me martesën e Linës në moshën 16-vjeçare. Në disa skena të hershme e tronditëse, mësojmë se si Lina shndërrohet në Zonjën Karraçi, përmes dhunës e mashtrimit. Fillimisht, Elena mendon se “statusi i bashkëshortes e kishte mbyllur në njëlloj ene të qelqtë”. Më pas, kur burgimi i saj bëhet i qartë, ajo vëren se si gratë e lagjes “hiqeshin zvarrë eshkë të thata, sy e faqe zgavruara, ose me vithet e gjera, noçkat e këmbëve të buhavitura, gjokset e rënda, torbat e pazarit, vocërrakët që u vareshin pas fundeve dhe që u kërkonin t’i merrnin hopa.” Ajo pyet veten se “Kur zinte fill vallë ai shndërrim? Me punët e shtëpisë? Me barrën? Me dajakun?” “Mbiemri i ri” i referohet shndërrimit të Linës në zonjën Karraçi, por jo vetëm. Siç ndodh rëndom me Ferranten, titulli i referohet edhe Elenës dhe zgjedhjeve të jetës së saj, fort të ndryshuar, larg qytetit të lindjes. Kompromiseve që do të bëjë për të ruajtur një status të ri, aq fort të kërkuar e të ëndërruar, sakrificave shpirtërore që do t'i kërkohen si flijim i ruajtjes së sekreteve e njëkohësisht edhe pamjaftueshmërisë së brendshme që do ta shtyjë gjithmonë drejt Linës, në një ekuilibër rrëqethëses rolesh e modelesh, nga të cilat duket se asnjë nga personazhet nuk mund të çlirohet. Saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe deri më sot, ka shitur rreth tre milionë kopje.
“Sonata e lisit”- Thimjo Nathanaili
“Sonata e lisit”, nr 1 dhe, nr 2, dy vëllime poetike na ftojnë në një botë të jashtëzakonshme ndjenjash, shprehur me një gjuhë të kujdesshme, e plot stil, nga një poet, i cili dhe pse vjen vonë në botën e letrave, di të befasojë e të qëndrojë aty.
Poetit i pëlqen t’i quajë dy librat si një të vetëm, një këngë në vargje që rrjedh e buron nga muza dhe filozofia e tij për trininë e shenjtë tokësore: Natyra-Njeriu-Dashuria. E kjo ndjehet lehtë teksa kalon nga një poezi në tjetrën.
"9 gënjeshtrat që mbajnë peng biznesin"- Steve Chlander, Sam Backford
Duke paraqitur 9 idetë e ngulitura (gënjeshtrat) në biznes, libri ofron zgjidhje të thjeshta dhe frymëzuese për problemet e krijuara çdo ditë nga vetë pronarët e bizneseve të vogla