Për të gjithë të apasionuarit e librit, "Durrës Lajm" sjell titujt e rinj që mund të gjeni në libraritë e qytetit.
“Histori dashurie në Oxford”
“Histori dashurie në Oxford” ose “Culika Dobson” është një satirë mbi jetën universitare. Sëmbon përmes ironisë dhe kritikës dashamirëse një vend të kufizuar ku forma është gjithnjë më e rëndësishme se përmbajtja. Culika, mbesa e rektorit, një femër me bukuri të jashtëzakonshme mbërrin në Oxford, një botë burrërore akademikësh të privilegjuar dhe menjëherë shkatërron gjithë trupën studentore, duke u bërë një bekim e më pas një mallkim për ta.
“Binjakja e heshtur”- K.M. Tramayne
Histori e pazakontë dhe tronditëse, që të mban pezull dhe të mbërthen fort. Një triller i mbushur me drama psikologjike, që të çojnë drejt një fundi jashtëzakonisht të nderë, “Binjakja e heshtur” është një libër drithërues dhe që do t’ju përfshijë deri në fjalinë e fundit.
“MAJAKOVSKI dashuria e fundit”- Serena Vitale
“Dergjej në njërën anë, kokën drejt faqes së murit, i zymtë, çarçafin deri te mjekra, gojën gjysmë të hapur, si një njeri që fle… Kishte shprehjen me të cilën fillohet të jetohet, nuk mbarohet”,- shkruan Boris Pasternak. “Majakovski dashuria e fundit” është një libër për jetën e poetit rus, i cili me hapin e tij të shpejtë mbërriti larg, shumë larg kohës sonë dhe diku, pas ndonjë cepi, do t’i takojë të na presë ende gjatë.
R.O.