Me ardhjen në Shqipëri ditën e sotme të ish-Presidentit amerikan Bill Clinton, disa rrugë në Tiranë do të bllokohen për shkak të masave të sigurisë. Këto masa fillojnë që nga aeroporti i Rinasit e drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.   

Policia e Tiranës bën të ditur se një nga masat e planit të detajuar konsiston në sigurimin e rrugëkalimit të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton. 

Drejtuesit e automjeteve të shfrytëzojnë rrugën dytësore nga Vora për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit, pasi më datë 03.07.2023, nga ora 14:00 deri në orën 15:30, do të jetë të bllokuara rrugët:

Nga Rinasi – Qafa e Kasharit – Mbikalimi tek Casa Italia – nënkalimi te ish-sheshi “Shqiponja”.

Gjithashtu, këto rrugë do të jenë të bllokuara edhe më datë 04.07.2023, nga ora 13:30 deri në orën 15:30.

Rrugë të tjera që do të bllokohen janë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.