Nga 1 qershori Tirana dhe Zagrebi mund të kenë një linjë direkte fluturimesh. Kështu është rënë dakord gjatë bisedimeve mes presidentit Bajram Begaj dhe presidentit kroat Zoran Milanović.

Mediat në Kroaci thonë se dy presidentët kanë diskutuar dhe janë pajtuar në fund se ka ardhur koha për të rivendosur një linjë ajrore direkte nga Zagrebi në Tiranë dhe anasjelltas.

“Pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe përmirësimit të lidhjeve ekonomike, ka ende shumë për të bërë në aspektin e bashkëpunimit të biznesit. Për të përmirësuar lidhjen mes dy vendeve, që do të ndikonte drejtpërdrejt në turizëm, u pajtuam që ka ardhur koha që të vendosen fluturimet mes dy vendeve”, është shprehur presidenti shqiptar.

Në skemën e re nxitëse të Aeroportit të Zagrebit, e cila do të hyjë në fuqi më 1 qershor, Tirana është renditur si një nga destinacionet që do të stimulohen, raportojnë mediat atje.

Croatia Airlines lidhte Zagrebin me Tiranën në fillim të viteve 2000. Njëzet vjet më vonë, pak para pandemisë së koronavirusit, menaxhmenti i Croatia Airlines zhvilloi bisedime me palët përkatëse të interesit për futjen e fluturimeve drejt kryeqytetit shqiptar.