Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përfunduar vizitën e tij dy ditore në Bruksel.

Vizita ka qenë në kuadër të raporteve Kosovë-Serbi, teksa vetë kreu i qeverisë së Kosovës ka diskutuar me zyrtarët e lartë të BE temën për rinisjen e dialogut mes dy vendeve dhe çështjen e furnizimit me vaksina.

Pas mbylljes së vizitës, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Instagram”, Kurti ka falenderuar policinë e Belgjikës, e cila ka ofruar sigurinë për delegacionin kosovar gjatë vizitës në Bruksel.

“Ambasada jonë në Bruksel është kujdesur për përgatitjet dhe mbarëvajtjen, ndërkaq forcat e policisë së Belgjikës janë kujdesuar për sigurinë e delegacionit tonë gjatë vizitës sonë dyditore atje. I falenderojmë e u jemi mirënjohës”, shkruan Kurti.