Kreu i PS-së me deputetin Spartak Braho, një orë vizitë në shtëpinë e patriarkut të socialistëve

Patriarku i PS: Ke bërë mirë me ministrat e rinj, s’kanë mikrobe.
Rama te Dritëroi: Do ta kthej SHQUP

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti socialist Spartak Braho i kanë bërë dje pasdite një vizitë surprizë shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli. 
Vizita bëhet vetëm pak ditë para betimit të Ramës si deputet dhe kryeministër në Kuvend. Takimi ka zgjatur rreth një orë, ndërsa temat e bisedës mes tyre kanë qenë të shumta. Pasi e ka uruar Ramën për fitoren e arritur në zgjedhjet e 23 qershorit, Dritëroi nuk ka kursyer dhe porositë për një qeverisje sa më të suksesshme. Mësohet se Dritëroi e ka këshilluar Ramën të mos bëjë disa gabime të bëra nga qeveritë e mëparshme, ndërsa i ka kërkuar që ai vetë dhe ministrat e tij të jenë sa më afër me popullin dhe sa më të përulur. “Vetëm kështu populli do ju vlerësojë dhe do t’ju votojë sërish”, mësohet t’i ketë thënë Dritëroi.

SHQUP

Një tjetër temë e bisedës ishte dhe ajo e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Dritëroi mësohet t’i ketë thënë Ramës se ajo i përket Ushtrisë dhe duhet t’i kthehet. Rama është shprehur i vendosur  se do t’ia kthejë Forcave të Armatosura godinën si simbol të Ushtrisë shqiptare dhe jo thjesht si godinë. Shkrimtari i njohur ka përgëzuar Ramën për nismën e tij për të ruajtur gjuhën shqipe në të gjithë dokumentacionin zyrtar të institucioneve shtetërore. “Vendimi i parë si kryeministër, ka thënë Rama, do të jetë vendosja e redaktorëve të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet që të mos kalojë asnjë dokument pa u redaktuar më parë në shqipen standarde”. Dritëroi i ka kujtuar Ramës se Franca është shumë e ashpër në ruajtjen e gjuhës. “Në Francë, ai zyrtar që bën gabime në gjuhë gjobitet rëndë”, është shprehur Dritëroi.    

Ministrat

Përbërja e kabinetit të ri qeveritar nuk mbeti jashtë bisedës njëorëshe të Ramës me Dritëroin. Patriarku i socialistëve e përgëzoi Ramën për përbërjen e re të kabinetit qeveritar. “Ke bërë shumë mirë që ke vënë ministra të rinj. Të rinjtë nuk mbartin mikrobe të së shkuarës. Nuk jam dakord me ata që thonë se duheshin vënë njerëz me përvojë dhe eksperiencë. Ndonjëherë përvoja dhe eksperienca të lë peng të së shkuarës dhe kjo sjell probleme”, mësohet t’i ketë thënë Dritëroi Kryeministrit të zgjedhur. Në ato momente, Dritëroi ka marrë një telefonatë nga Gramoz Ruçi: “Ti Gramoz nuk hyn te të vjetrit me mikrobe, vazhdon të jesh shtyllë betoni në parti”, mësohet t’i ketë thënë patriarku kreut të ri të Grupit Parlamentar socialist. 



Vlerësimi për Spartak Brahon

Shkrimtari i njohur nuk la pa vlerësuar dhe deputetin e PS, Spartak Braho. Të gjithë e dimë që Spartaku ka dhënë kontribute të mëdha dhe pozitive në afrimin e PS me LSI. I di mirë ai këto punë. Unë kam folur me të shumë herë se si mund të arrihej më lehtë në këtë bashkim, duke ia lënë gabimet të kaluarës dhe për të mos i përsëritur më”, është shprehur Agolli. Nga ana e tij Rama ka thënë se “Spartakun e kemi hipotekë të bashkëpunimit tonë me LSI dhe të gjithë ia dimë vlerat që ka në këtë proces”.

/panorama/