Kryeministri Edi Rama ka komentuar vizitën që mbajti pak ditë më parë në Vatikan, ku u takua me Papa Leone XIV. Ai theksoi se e ka ftuar Papën që të marrë pjesë në festën e komunitetit katolik që do të organizohet për 130 vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë si mbrojtëse e Shqipërisë.
“Momenti i veçantë i kësaj jave ishte vizita në Vatikan dhe ndryshe nga të mëparshmet, kjo vizitë kishte edhe vizitën në Bazilikën e zonjës së Këshillit të mirë. Aty ku ruhet shëmbëlltyra e Shën Mërisë, shkëputur nga muri i kishës së vjetër të Shkodrës, në vitin 1467. Asnjë kryetar shteti nuk e kishte shkelur pragun e kësaj bazilike, kjo edhe për turpin tim se këtë ndalesë e kuptova si rëndësishme vetëm së fundmi. Bazilika është në destinacion i rëndësisëm nën kujdesin e urdhrit që është edhe urdhri i papa Leone XIV. Papa ndalesën e parë, apo gjënë eparë që bëri pasi u zgjodh dhe doli tymi i bardhë në Selinë e Shenjtë ishte vizita në Bazilikën e Zojës së Këshillit të mirë dhe lutja përpara atij imazhi të ardhur nga Shkodra. Tjetër moment emocionues ishte qëndrimi në sallën e pritjes përpara audiencës me Papën, ku në atë sallë në pritje të takimit të paharrueshëm me Papa Franceskun dhe prej ku u krijua baza e një miqësie të jashtëzakonshme, e cila është një ndër gjërat më të bukura të jetës time, edhe për këtë arsye homazhi në varrin e tij.
Nga ana tjetër, patjetër që ishte me një peshë të veçantë sic kuptohet edhe prezantimi me Papa Leone, një njeri me dritë, mirësi me të cilin që folëm për Shqipërinë, rajonin e botën dhe që e ftova që të jetë i pranishëm në festën e madhe të komitetit katolik për 130 vjetorin e shpalljes së zojës së Këshillit të mirë nga Papa Luani 13 si mbrojtësja e Shqipërisë. Ftesa u bë dhe Papa u shpreh i interesuar.”, theksoi Rama.





