Një inspektim blic për të parë nga afër punën që bëhet në zyrën e Pasurive të Paluajtshme në Durrës ka zhvilluar zv/kryeministrja Senida Mesi.   

Mesi kërkoi nga administrata e Hipotekës të jenë të përpiktë në shërbimin me qytetarët, duke shmangur burokracitë që ata hasin zakonisht në zyrat e ZRPP-së në qytetin bregdetar.

Para se të zhvillonte një mbledhje me administratën, Mesi takoi qytetarë që prisnin në radhë, për të dëgjuar opinionet e tyre në lidhje me sjelljen e stafit dhe burokracive që ata kishin hasur.

Qytetarët thanë se puna ndërpritet jo për shkak të administratës por sepse sistemi online bllokohet vazhdimisht, duke mos kryer dot punën për të cilin është ndërtuar.

Mesi tha se me emërimin e drejtorit të ri, vetëm gjatë javës së parë të punës ka pasur progres të madh në përpunimin e dosjeve, ku në harkun e pesë ditëve janë përgatitur një mijë dosje.

Zv/kryeministrja Mesi ka nisur një tur inspektimesh në qytete të ndryshme të vendit për të kontrolluar performancën e punonjësve në institucionet shtetërore.

K.H.