* Ose shqiptarët si azilkërkues dhe Rama si azilshpjegues

Nga Alfred Lela

Udhëheqësit tanë (epikisht legjendarë! apo estetikisht të tillë!) e kanë patur gjithmonë të vështirë të pranojnë se shqiptarët do donin ta linin vendin e tyre. (Me ‘të tyre’, lexo: të liderëve, jo të shqiptarëve, sepse ata që e kanë udhëhequr këtë vend e kanë parë atë si të tyrin dhe kjo shpjegon edhe keqkuptimin e shfaqur ndaj aferës së azilkërkuesve, që është fokusi i këtij komenti). Kjo mund të shpjegohet nga disa arsye, por nja tri prej tyre mendoj se kanë të bëjnë me patriarkalitetin e prijësve, të ardhur nga një shoqëri patriarkale dhe, e dyta, me një lloj vetizolimi të liderit shqiptar. Këtë të fundit, herë të ndërtuar vetë e ndoshta më shumë të shërbyer nga rrethi i bashkëpunëtorëve apo shërbëtorëve të ngushtë. Një arsye e tretë është padyshim propaganda: ngritja e tymnajës për të fshehur të vërtetën.

Mund të thuhet, në rastin e Shqipërisë, se liderët dhe populli jetojnë në dy vende të ndryshme, dhe njëri prej tyre, ai i politikanëve, mund të quhet metaforikisht la la land. Këtë shkëputje me realitetin, këtë izolim, ka filluar ta fusë në punë edhe shefi i tanishëm i qeverisë shqiptare Edi Rama. Shpjegimet që ai ka dhënë për numrin e lartë të azilantëve shqiptarë në Gjermani kullojnë kontradiksione dhe luhatje. Deri më tash ai ka prodhuar publikisht, tri qëndrime të ndryshme për të shpjeguar se pse po ndodh ajo që po ndodh, pse po ikin ata që po shkojnë, cilët janë përgjegjësit, a ka të tillë, e me radhë.

Ravgimi numër 1 i kryeministrit kur autobusët e parë me ‘të arratisurit e lirisë’ nisën t’u lënë targën kufijve të Shqipërisë, ishte gjetja e një fajtori ‘në errësirë’. Target u bënë ato që, në fjalorin e kryeministrit hynë e dolën si ‘grupe të krimit të organizuar’. Ndërkohë që kjo mund të jetë pjesërisht apo krejtësisht e vërtetë, sërish nuk na jep asgjë më shumë se hallkën apo një të ndërmjetme të çështjes dhe aspak zanafillën, shkakun apo psenë. Për shkaqet, kryeministri nuk dëshiron të flasë.

Përpjekja e dytë shpjeguese apo shfajësuese e z. Rama për të njëjtën çështje ka marrë një kthesë të beftë drejt jugut, duke treguar me gisht Greqinë. Shqiptarët që kërkojnë azil në Gjermani vijnë nga Greqia, kuturisi një ditë kryeministri. As ky përfundim nuk kundërshtohet logjikisht nëse e izolojmë atë nga kontinuiteti dhe dinamika e ngjarjeve. Po, Greqia është një vend në krizë, e ka pranuar këtë dhe, afërmendsh, të rrezikuarit e parë nga shkurtimi i vendeve të punës e shtrëngimeve të tjera, i bie të jenë emigrantët. Shqiptarët ndër ta. Ama, nëse e nxjerr nga dhoma e ngrirjes së frigoriferit politik, përballë valës së të nxehtit të prodhuar nga kronika e ditës, historitë me azilantë, që na mbërrijnë këtu sa nga mediat gjermane aq nga shqiptaret, e shkrijnë pretendimin e një ‘linje greke’ që prodhon azilantë për vendin e dojçëve. Raportimet e thata dhe historitë njerëzore kanë qenë plot me të ikur nga Shqipëria.

Shkundja e tretë për ta hequr nga supet barrën e një bezdie azilantësh ka ardhur nga Sajmir Tahiri, ministër i Brendshëm (duke qenë se qëndrimi i një ministri automatikisht i kalon qeverisë, kjo e bën edhe të shefit të saj, kryeministrit). Teza e tij ia ka dalë të jetë edhe më fantastikja: shqiptarët që kërkojnë azil janë joshur nga gjermanët. Paralelen e këtij pretendimi mund ta gjejmë nja 25 vjet më parë pikërisht në formulimet e shtetit komunist të Ramiz Alisë, në kohën kur shqiptarët mësynë ambasadën gjermane. Qëndronte atëherë, por jo tani. Nëse Perëndimi asokohe po investonte në çmontimin e komunizmit, Perëndimi i kësokohe po shtyn axhendën e kundërt: instalimin e një shteti demokratik shqiptar me institucione të tilla.

Kronika dhe historia shpesh shkruhen apo përshkruhen nga detajet. Në një intervistë për austriaken Der Standard, duke iu përgjigjur pyetjes ‘a është dakord me autoritetet gjermane, të cilat e klasifikojnë Shqipërinë si vend të sigurt të origjinës’, pra një vend pa luftë dhe pa përplasje politike, të tilla që do u jepnin shtysa qytetarëve të saj të kërkonin azil politik, Rama iu përgjigj ‘Po’.

Nëse shqiptarët shpërngulen nga Shqipëria drejt Gjermanisë në kërkim, jo të azilit politik, kjo do të thotë se ata kërkojnë t’i ikin një gjendjeje të keqe, të rënduar apo një krize ekonomike.

Udhëheqësit tanë (legjendarë!) duhet ta kuptojnë se Shqipëria mund të bëhet, për disa, vend i pajetueshëm. Kundër kësaj nuk mund të ngrihet më as kloni, as ushtria, as gënjeshtra se ‘jemi vendi më i lumtur në botë’. Problemet, qeveritë e kohëve moderne, jo vetëm kjo jona, mundohen t’i rrethojnë me mur propagande, duke bërë atë që thirret zakonisht pr.

Propaganda nuk mundi ta fshihte të vërtetën e vendeve as pas Murit të Berlinit.

Marrë nga “Mapo”, 29 gusht 2015