Këto ditë qyteti i Durrësit ka pritur disa vizitorë të veçantë. Në një kohë kur është rritur mjaft numri i vizitorëve nga shumë vende të Evropës dhe botës, në qytetin bregdetar kanë mbërritur edhe turistë nga Kuvajti. Biznesmenë nga vendi i pasur arabik kanë vizituar në kohë të ndryshme Shqipërinë, por mbërritja e nxënësve më të mirë të shkollave të mesme të Kuvajtit në Durrës është një fakt domethënës.
Nxënësit më të mirë të shkollave të mesme të Kuvajtit vizituan disa site historike dhe kulturore në qytetet e Krujës dhe Durrësit si dhe projektin e financuar nga Fondi i Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik të Arabisë (KFAED) si pjesë e turit në Shqipëri, tur ky i organizuar nga KFAED.
Në një prononcim për agjencinë e lajmeve KUNA, shefi i shtypit i KFAED, Ahmad Al-Sarraf tha të mërkurën se turneu i studentëve në qytetin e Krujës përfshinte një vizitë në Pazarin e Vjetër, i cili është një nga tregjet më të vjetra dhe tradicionale të artizanatit në Shqipëri.
Delegacioni vizitoi gjithashtu muzeun e Skënderbeut dhe kështjellën e Gjergj Kastriotit, dy objekte me rëndësi të madhe historike.
Më vonë, delegacioni vizitoi Bypass-in e Durrësit dhe investimin në Vorë, projekte jetësore këto për të lidhur dy qytetet me njëri tjetrin.
“Delegacioni më vonë u zhvendos në qytetin bregdetar të Durrësit, rreth 30 km nga kryeqyteti Tiranë. Durrësi është porti më i madh në vend dhe ka amfiteatrin më të madh në gadishullin e Ballkanit”,- shkruan agjencia Kuna.
Turi turistik I financuar nga KFAED nisi në vitin 2010, dhe konsistonte në organizimin e dy udhëtimeve të veçanta në vit për 12 meshkuj dhe 12 femra nga shkollat e mesme.
Udhëtimet përfshijnë dy vende ku KFAED po realizon projekte vitale.