Të të vjedhin profilin e Facebook- ut nuk është ndonjë gjë e pazakontë, por sa për të qeshur, aq edhe për të qarë është historia e një vajze amerikanolatine, profili i së cilës u vodh. Si të mos mjaftonte kjo atë e shpallën të vdekur në rrjetin social.
Ishte kushëriri i vajzës ai që zbuloi gjithçka, kur njerëz ende të paidentifikuar që hiqeshin si bamirës pretendonin se po mblidhnin fonde për të dërguar në Meksikë trupin e një vajze të vdekur, ndërsa sipër kutisë ku zhvatnin para kishin vënë foton e Lupita Gonzales.
I alarmuar ai telefonoi në familjen e Lupitës dhe kur mësoi se ishte gjallë u kuptua që fotoja e saj mund të ishte vjedhur në Facebook. Identiteti i personave është ende i panjohur, por policia kaliforniane ka nisur hetimet për rastin.
Ndërsa vetë vajza e ka kaluar përmes ironisë vjedhjen e identitetit që iu bë. “Duhet të isha e vdekur, por jam gjallë, shumë gjallë, Jam pikërisht këtu”.





