Policia e Lezhës ka ndaluar dhe shoqëruar në komisariat 41 të rinj malazezë, një rumun dhe një serb. Të rinjtë janë ndaluar nga policia, pasi teksa po lëviznin në Rrugën e Kombit gjatë paradites së sotme, kanë hyrë në një supermarket, duke marrë artikuj ushqimorë dhe pije freskuese dhe kanë ikur me vrap pa paguar faturat.
Kanë qenë punonjësit e supermarketit të cilët kanë njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen. Efektivët blu janë vënë menjëherë në lëvizje dhe kanë ndaluar autobusin me të cilin po lëviznin të rinjtë në afërsi të Milotit.
Mjeti bashkë me udhëtarët është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Lezhës, ndërsa menjëherë kanë nisur hetimet. Ata janë marrë në pyetje dhe nga veprimet hetimore e kryera deri më tani është bërë e ditur se, 8 prej tyre janë proçeduar në gjendje të lirë për veprën penale “Vjedhje”.
Ata mësohet se kanë pranuar para grupit hetimor veprimet e kryera prej tyre. 41 personat kanë qëndruar në ambientet e policisë gati 10 orë, ndërsa pas veprimeve proceduruale të kryera ata janë lënë të lirë.
Disa të rinj nga kangjellat e komisariatit kanë provokuar duke ngritur tre gishtat lart, simbol i çetnikëve. Sjellja është konsideruar si aspak normale nga policia e cila ka ndërhyre menjëherë, duke neutralizuar të rinjtë.
Autobuzi me të rinj ishte nisur nga Mali i Zi që prej mëngjesit të së martes, ndërsa desticaioni i tyre ishte Shkupi i Maqedonisë. Në të udhëtonin tifozë të cilët ishin nisur për të parë ndeshjen Podgoricë-Shkup që luhej në orën 18:00 në kryeqytetin Maqedonas.





