Evis Kasa, nëndrejtoresha e shkollës “Bedrie Bebeziqi”, në një intervistë për “DurrësLajm” tregon se çfarë shoku kanë përjetuar në momentet e para, kur kanë hyrë në shkollë dhe kanë gjetur dyert, bankat dhe xhamat e klasave të para të shqyera.
“Kur erdhëm pati tronditje dhe shok te fëmijët, prindërit dhe mësuesit. Mësimi nisi me vonesë te klasat ku nuk kishte dëmtime. Klasat e para u dërguan në shtëpi. Prindërit nuk i lanë në shkollë ditën e sotme, pasi edhe nga klasa e parë kanë hyrë dhunuesit e shkollës”, thotë nëndrejtoresha.
“Ne nuk e dimë kush e ka bërë, por policia ka mbërritur këtu dhe po heton. Ajo që dimë është se autorët ende të paidentifikuar, kanë vjedhur vetëm një video-projektor dhe një ekspres kafeje. Kanë thyer xhamat e klasës së parë, bankat, kanë shqyer derën e klasës që sapo e kishim vënë të re, 220 mijë lekë derë, me paratë e nxënësve. Kanë thyer derën e hekurt, dhe kanë kthyer përmbys zyrën e drejtorit, të nëndrejtorit. Diçka kanë kërkuar, por nuk kanë marrë asnjë gjë, as tek laboratori i informatikës. Dyshohet që edhe aty kanë hyrë se dyert e klasave dhe të laboratorëve i kishin shqyer, por nuk kishin vjedhur asnjë kompjuter apo pajisje!”
Sipas drejtuesve të shkollës, kjo është hera e parë që shkolla “Bedrie Bebeziqi” bie pre e dhunuesve që dyshohet se janë narkomanë të zonës.
K.H.