Tiranë, 26 gusht 2014  – Ish-Drejtori i Departamentit të Emisionit Dorian Çollaku, Petrit Ramohitaj, Myzejen Belba, Lavdim Cane, Bashkim Xhilaga, Liljana Kola dhe Dhimitër Davidi, personat e akuzuar për përfshirje në superskandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit, ndodhen në Gjykatën e Apelit ku kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë. 7 të dyshuarit ndodhen në sallën e gjyqit, të shoqëruar nga avokatët e tyre. 

Para trupës gjykuese doli i pari Petrit Ramohitaj, për të cilin edhe Apeli la në fuqi masën e arrestit me burg dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë, edhe pse Ramohitaj pretendoi të mos ketë faj në supervjedhjen e BSH-së. Ai ka tentuar me çdo kusht të ndryshojë masën e sigurisë, duke deklaruar se nuk ka pasur përgjegjësi përderisa nuk ka pasur në dispozicion bazën logjistike. 

Të njëjtën masë sigurie la në fuqi Gjykata edhe për Dhimitër Davidin e Lavdim Canen, ndërsa pritet vendimi për 4 të akuzuarit e tjerë. I fundit që do dalë para trupit gjykues është Dorian Çollaku.

Nga dhjetë të arrestuarit për skandalin e vjedhjes së bankës, Ardian Bitraj, ish-përgjegjës i Arkës Stok, që ka pranuar se ka marrë 713 milionët dhe i ka shpenzuar të gjitha në kazino dhe lotot e sportit. Bitraj dhe kolegia e tij, Mimoza Bruzia, nuk i janë drejtuar Gjykatës së Apelit për të kërkuar ndryshim mase sigurie. Të dy u kallëzuan nga BSH për abuzime financiare. 

Por, ndërsa pritej që pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të instaluara brenda në çdo ambient të Thesarit të Shtetit, të ishin një ndihmë e madhe për grupin hetimor, pasi përmes tyre mund të hidhej dritë mbi mekanizmin e ngjarjes dhe personat e përfshirë në krimin e rëndë, hetuesit janë vënë përpara faktit se ekzistojnë vetëm pamjet e ditëve të fundit, të cilat nuk faktojnë përmasat e vjedhjes në bankën e shtetit shqiptar.