DURRES – Pas ndalimit dhe arrestit me burg dhënë nga gjykata e Durrësit për 18-vjeçaren Fatma Buziu, mes familjeve Buziu dhe Xhindi kanë nisur përplasjet e para. Pas dhënies së vendimit të gjykatës që e vlerësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe pranoi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg, mes familjarëve të vajzës ka pasur acarim. Tezja e Fatmës i është drejtuar babait së të arrestuarës, Shkëlqim Buziut dhe motrës së tij si shkaktarët e fatit të trishtë të mbesës, që mbeti në qelitë e paraburgimit.

“Ti e fute vajzën në burg, por do të paguash një ditë gjynahet e saj, ndërsa ti (iu drejtua hallës së vajzës) nuk kishe pse të fusje në sherr një familje me ato para dhe t’i shkatërroje”, është shprehur ndaj kunatit, tezja e vajzës së arrestuar, referon gazeta “Shqip”.

“Unë nuk dënoj vajzën time, as dua që ajo të qëndrojë në burg, por dënoj dhe denoncova veprimin e saj. Paratë duhet të kthehen. Dua të di ku shkuan gjithë ato para”, thotë për “Shqip”, Shkëlqim Buziu, pas mbarimit të seancës dhe përballjes me kunatën, tezen e vajzës, si dhe familjarë të Ismail Xhindit, që ishin në sallën e gjyqit. Madje, ai u ka kërkuar familjarëve të djalit që dashuronte vajza e tij të kthejnë paratë. Familjarë të Xhindit thanë se Shkëlqimi dhe Flutura po synojnë të përfitojnë para më shumë sesa mund të jenë marrë realisht nga kasaforta.

Në seancën gjyqësore të drejtuar nga gjyqtari Astrit Faqolli, palët patën pretendime të ndryshme. Gjyqtari vlerësoi si të drejta kërkesat e akuzës së përfaqësuar nga prokurorja Rabjana Halili.

Vajza më 4 janar, siç deklaroi akuza, i ka kthyer hallës dhe babait shumën prej 6 milionë lekësh të vjetra, duke pranuar se kjo shumë i kishte mbetur nga vjedhjet e kryera në kasafortën që mbahej në shtëpi nga i ati. Shumën e madhe të parave të dërguara nga halla e Zvicrës për të atin faktohen edhe nga faturat bankare që tashmë janë pjesë e dosjes së prokurorisë për rastin.

Avokati mbrojtës, Halil Hoxha kërkoi që gjykata të marrë parasysh raportin e posaçëm mes të dëmtuarit dhe të arrestuarës, si dhe qëllimin e vërtetë të denoncimit që lidhet me zbardhjen e së vërtetës dhe destinacionin e parave, jo dënimin e vajzës, e cila ishte titullare në një aktivitet tregtar, të cilin e kishte me qira.

Pavarësisht përpjekjes së avokatit për ta trajtuar në një tjetër këndvështrim rastin, Fatma Buziu pohoi: “Jam penduar dhe kërkoj një masë sa më të drejtë, sa më të butë”, gjë që nuk u mor parasysh nga gjykata. Në pritje të caktimit të masës së arrestit për Ismail Xhindin, djalin e prezantuar si i fejuari i saj nga Fatma, tensionet brenda familjeve Buziu dhe Xhindi duket se sapo kanë nisur.