Vjedhja e kapakëve të pusetave, sidomos atyre që shërbejnë për mbledhjen e ujërave të shiut, por edhe atyre të ujërave të zeza janë një shqetësim jo i vogël për Ujësjellës – Kanalizime, rajoni Durrës.

“Problematikë e madhe e ndërmarrjes sonë është vjedhja e kapakëve të pusetave të ujërave të shiut, që ndodhen anash trotuareve dhe aksesi në to është më i kollajtë nga personat që abuzojnë me kapakët. Kemi pasur vjedhje edhe të pusetave të ujërave të zeza, që ndodhen në mes të rrugëve, por është më i vogël si fenomen”,- thotë drejtori i Ujërave të Ndotura Tonin Doda.

Dëmtimi dhe më pas vjedhja e një kapaku pusete përgjatë rrugës “Mujo Ulqinaku” rrezikonte të kthehej në burim aksidenti.

Por paraditen e sotme, ajo është zëvendësuar nga punonjësit e ndërmarrjes.

Në të gjitha bashkinë Durrës janë rreth 9000 puseta, nga të cilat vetëm 2000 prej tyre janë me kapakë plastikë. Pavarësisht se UKD ka nisur prej disa vitesh zëvendësimin e pusetave të gizës me ato plastike, ky proces pritet të zgjasë në kohë. Për këtë arsye, drejtori Doda lëshon një apel për të gjitha pikat e skrapit, ku hajdutët dërgojnë kapakët e vjedhur.  

“Vjedhja e tyre bëhet për t’i shitur për skrap, për t’i shitur për një vlerë minimale (3000 lekë të vjetra). Ne kemi bërë disa herë ankimime për pikat e sktrapit në polici, që të mos i marrin kapakët, por problem është fakti se hajdutët i thyejnë para se t’i dërgojnë në këto pika. Ju lutem të gjitha pikave të grumbullimit të skrapit mos pranoni të blini kapakë gize të vjedhur, sepse kjo është në dëm të qytetarëve të Durrësit”.

Përgjatë këtij viti, Ujësjellës – Kanalizime, rajoni Durrës planifikon të zëvendësojë me kapakë plastikë 250 puseta të ujërave të zeza dhe 200 ujëmbledhës shiu.

M.B.