Tiranë, 7 gusht 2014 – Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Dorian Çollakun, ish-drejtorin e Thesarit në Bankën e Shqipërisë, i cili, së bashku me 9 persona të tjerë, akuzohet për vjedhjen e 713 milionë lekëve në BSH.

Akuza e Prokurorisë, është shpërdorim detyre dhe sipas saj, Çollaku, me veprimet dhe mosveprimet  tij, ka lejuar dhe ndikuar në vjedhjen e thesarit të shtetit nga ana e ish-punonjësit Ardian Bitraj.

Sipas akuzës, që prej 1 janarit 2013, deri në mars 2014, ky shtetas nuk ka ndërmarrë asnjë nismë të tillë, duke krijuar në këtë mënyrë, mundësi për abuzime. Çollaku u vetë-dorëzua dje në mëngjes në polici pas urdhër-ndalimit që ishte prerë për të.

Por pas seancës gjyqësore, avokati i Çollakut, Ramiz Billa, ka deklaruar se ka prova që klienti i tij është i pafajshëm dhe se do të ndjekë të gjitha shkallët e drejtësisë për të provuar pafajësinë e tij.

“Akuza e shpërdorimit të detyrës nuk qëndron. Kemi prova për pafajësinë e tij”, – tha avokati i ish-drejtorit të Thesarit në BSH.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/