DURRËS, 8 tetor 2014– Skandali financiar që përfshiu Bankën e Shqipërisë në muajin Korrik që tronditi mbarë opinionin shqiptar, duket se nuk është përcjellë në heshtje as nga Banka Qendrore Evropiane.
Grabitja e mbi 700 milionë eurove nga punonjës të vetë bankës, duket se ka shokuar ekspertët e BQE dhe 11 bankave të tjera europiane, të cilët mësohet t’i kenë hyrë në “themel” bazës ligjore dhe praktikave mbi të cilat funksionon Banka e Shqipërisë. Kjo duket se u ka shërbyer ekspertëve të huaj për t’i krahasuar ato me praktikat dhe standardet europiane. Një tjetër qëllim i këtij “aksioni” të BQE dhe bankave të tjera të mëdha europiane mësohet të ketë qenë dhe trajnimi i punonjësve të Bankës së Shqipërisë sipas standardeve të BE, me qëllim shmangien e ndodhive të tilla në një të ardhme, çka mund të shkaktonte probleme të paimagjinueshme në sistemin bankar.
Megjithëse Banka e Shqipërisë, në një njoftim për mediat e ka paraqitur këtë program trajnimi por dhe kontrolli thjeshtë si një program asistence teknike, në fund ekspertët e huaj kanë lënë mbi tavolinë një raport me disa rekomandime, të cilat BSH është zotuar t’i përmbushë siç i janë kërkuar dhe në afatet e përcaktuara.
BSH: Ja konkluzionet e bashkëpunimit Banka e Shqipërisë bëri me dije në një njoftim për mediat, se më datë 29 shtator 2014, Banka Qendrore Evropiane (BQE), së bashku me 11 banka qendrore të Sistemit Europian të Bankave Qendrore, përfundoi me sukses një program asistence teknike me Bankën e Shqipërisë. Sipas saj, synimi i programit ishte mbështetja e Bankës së Shqipërisë në procesin e përafrimit me rregullat, procedurat dhe standardet e bankingut qendror në Bashkimin Evropian.
Një njoftimin për mediat, BSH deklaroi gjithashtu se programi i financuar nga Komisioni Evropian filloi më 17 prill 2014 dhe u implementua nga BQE në partneritet me bankat qendrore të Gjermanisë, Francës, Italisë, Maltës, Hollandës, Austrisë, Portugalisë, Sllovenisë, dhe Sllovakisë. Gjithashtu, programi u mbështet edhe me ekspertë nga bankat qendrore të Bullgarisë dhe Republikës Çeke. “Përgjatë gjashtë muajve të zbatimit, ekspertë nga BQE-ja dhe bankat qendrore pjesëmarrëse në program vlerësuan dhe analizuan 13 funksione të Bankës së Shqipërisë në krahasim me standardet dhe politikat e BE-së e ato ndërkombëtare.
Siç u theksua nga Zëvendësguvernatori i Parë i Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni, programi i bashkëpunimit me BQE ishte një kontribut i rëndësishëm në përshpejtimin e harmonizimit të praktikave të Bankës së Shqipërisë me standardet evropiane dhe forcimin e kapaciteteve administrative të institucionit, në dobi të ekonomisë shqiptare në përgjithësi”, tha zyrtarisht BSH, e cila u angazhua të implementojë rekomandimet e paraqitura në raportin përfundimtar të programit, duke i përfshirë ato në planet e veta strategjike dhe operacionale. BSH vlerësoi se një formë e tillë bashkëpunimi kontribuoi në forcimin e marrëdhënieve ekzistuese dhe zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, bankave qendrore të rajonit dhe Eurosistemit. Sipas saj, ndër faktorët kryesorë të suksesit të programit ishin shkalla e lartë e përgjegjësisë të treguar nga Banka e Shqipërisë, niveli i lartë i besimit, profesionalizmit dhe dedikimit të ekspertëve vendas dhe të huaj të angazhuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së programit.
BSH konsideron se përfundimi i këtij programi përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë, transparencës, llogaridhënies dhe profesionalizmit të Bankës së Shqipërisë, si dhe për nxitjen e stabilitetit monetar dhe financiar në vend. INSTAT: Kriza ktheu mbi 133 mijë emigrantë në 4 vite Migracioni i kthimit dhe ri-integrimi në Shqipëri ka qenë fokusi i takimit të sotëm, organizuar nga Instituti i Statistikës, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri. Ky është studimi i parë i krye në vendin tonë dhe në vijim të takimit, janë dhënë faktet dhe gjetjet më interesante të këtij studimi, i cili është kryer në disa faza. Faza e parë fillon me kërkimin sasior nëpërmjet anketave dhe sondazheve në terren, në periudhën kohore 16.09.2013 deri më 14.10.2013.
Në fokus janë marrë 2.000 emigrantë të kthyer në Shqipëri pas vitit 2008, duke marrë shtysë nga fakti se ky vit përkon rikthimi më i shumtë i emigrantëve në vendin tonë, kryesisht nga Italia, Greqia dhe Gjermania. Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT, Gjergji Filipi vlerësoi rëndësinë e këtij studimi për vendin tonë ndërsa renditi disa nga gjetjet kryesore të këtij takimi. Sipas tij, rezulton se gjatë viteve 2009- 2013, numri i emigrantëve të kthyer është 133 544. Ritmi i kthimeve është përshpejtuar pas 2011 me rreth 1.5 herë më shumë. Nga aspekti gjinor, janë meshkuj ata që dominojnë me 73,7 %. Një ndër gjetjet kryesore sipas z. Filipi ishte fakti se 94 % të rasteve, rikthimi ka qenë vullnetar dhe sigurisht, kriza ekonomike e atyre vendeve ka qenë një shkak i mundshëm, nga ku 60 % e tyre janë rikthyer në vendbanimet e dikurshme dhe 40 % e tyre janë rikthyer me të gjithë familjen. Gjithashtu bëhet e ditur se koha mesatare e qëndrimit të tyre në emigrim ka qenë 6.2 vite, nga ku emigrantët me qëndrim më të gjatë ishin ata nga Greqia.
Gati gjysma e emigrantëve kanë patur arsimim të mesëm kur kanë emigruar dhe shumica prej tyre, mësohet se kanë qenë në gjendje shumë të keqe ekonomike kur janë nisur. Tashmë në rikthim, bëhet e ditur se 40 % e të rikthyerve mendojnë se do të qëndrojnë në Shqipëri përgjithmonë, ndonëse 81 % e tyre nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të bërë investime në vend. “Është tepër i rëndësishëm identifikimi i tipareve të individëve të rikthyer dhe përshtatja e tyre në rikthim, njohja e nevojave të tyre dhe ndërtimi i politikave të duhura në përshtatje me këtë kontigjent”, vijoi z. Filipi.
/SotNews/





