4 qershor 2015 – Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe gëzon respektin e komunitetit ku jeton. Këto ishin dy nga argumentet të cilat i ka zbardhur Gjykata e Lartë, për lirinë e ish-kreut të institucionit më të lartë financiar në vend.
Fullani ishte një prej personave që u akuzua për shpërdorim detyre, lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit, vitin e kaluar.
"Masa e sigurimit “arrest në shtëpi” e dhënë nga gjykata e apelit është e papërshtatshme pasi nuk i përgjigjet rrezikshmërisë së personit nën hetim Adrian Fullani, i cili jo vetëm që është një individ i respektuar në komunitetin ku ai jeton, ku për një periudhë dhjetëvjeçare ka drejtuar institucionin më të lartë financiar në vend, Bankën e Shqipërisë, por gjithashtu, ai nuk paraqet ndonjë rrezikshmëri të lartë shoqërore, apo të përbëjë ndonjë rrezik të mundshëm për pengimin dhe prishjen e procesit hetimor në ngarkim të tij, ashtu siç pretendohet nga ana e organit të akuzës", thuhet ne vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë.
Gjykata caktoi si masë sigurimi në nëntor të 2014-s për Ardian Fullanin, atë të paraqitjes në policinë gjyqësore një herë në muaj, të hënën e parë të çdo muaji.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/