10 gusht 2014 – Shtrihet pista e hetimit për vjedhjen e 7 milionë dollarëve nga Banka e Shqipërisë. Ndërsa Prokuroria pritet të marrë në pyetje anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, kryetar i së cilës është vetë Guvernatori Ardian Fullani, 70 familjarët e 10 prej të arrestuarve për vjedhjen e bankës së shtetit, janë vënë në shënjestër të Prokurorisë. Bashkëshortë, vëllezër, motra, deri dhe kunetër të të arrestuarve, Ardian Bitraj, përgjegjës i arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Mimoza Bruzia, specialiste e arkës për veprim në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Dorian Çollaku, Drejtor i Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Bashkim Xhilaga, me detyrën e kontrollorit mbikqyrës në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Petrit Ramohitaj, përgjegjës i arkës për veprim, në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Lavdim Cani, specialist i arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Liljana Tusha, specialiste e arkës për veprim në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Dhimitër Davidhi, vëzhgues operator në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë si dhe Klevis Bejtaj, do t’u nënshtrohen një hetimi pasuror. Deklaratat jo të sinqerta dhe kontradiktore të Bitrajt, personi i vetëshpallur grabitës i 7 milion dollarëve, mendohet se ka qenë shkaku kryesor që ka çuar në hetimin e pasurisë së 70 personave të tjerë, si pistë e mundshme, se paratë e vjedhura mund të jenë shpërndarë te të afërmit e 10 të arrestuarve.
Deklarata e Bitrajt
Deklaratat e Ardian Bitrajt, se shumën e parave të vjedhura nga thesari i ka lënë në lojërat e fatit në rrugën Fortuzi, kanë lënë shumë hapësirë nga ana e Prokurorisë për të dyshuar dhe për të shtrirë më tej hetimet për supergrabitjen. Burime nga prokuroria, janë shprehur se ekonomisti nën hetim nuk është treguar i sinqertë dhe me shumë mundësi ai gënjen. Sipas burimeve, mendohet se Bitraj e ka ndërtuar rrëfimin e tij më tepër për të patur një alibi të mirëmenduar në mënyrë që t’i fshehë hetimit se çfarë ka ndodhur më tej me lekët e përfituara nga Departamenti i Emisionit, ashtu sikundër faktit që 45-vjeçari vijon të përjashtojë se ka patur bashkëpunëtorë vjedhjen e thesarit. Por, pak kohë pas arrestimit të Bitrajt, Prokuroria nga ana e saj verifikoi se katër kompanitë e bllokuara në lagjen Fortuzi, kompani të lojërave të fatit që janë përmendur nga Bitraj, pronarët e të cilave janë shprehur se ekonomisti nuk ka shpenzuar tek ato më tepër se 300 mijë euro, ndërkohë që shuma e vjedhur është 713 milionë lekë.
Institucionet e kontrollit të pasurive
Ndërsa Prokuroria intensifikon hetimet për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, hetimet nga ana e institucioneve të kontrollit të pasurive kanë ngecur. Mësohet nga burime nga prokuroria se, nuk ka ende një përgjigje nga institucionet përkatëse sikurse hipotekat, bankat e nivelit të dytë, ALUIZNI dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive që të pasqyrojë llogaritë bankare dhe asetet pasurore të secilit prej të arrestuarve. Ndonëse këto institucione pretendohet të vijonin hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, marrin pushimet verore, për t’iu rikthyer çështjes në muajin shtator, në të njëjtin muaj kur deputetët të PS do të ndërmarrin nisma ligjore për shkarkimin e Ardian Fullanit.
/ sot news /





