Vjedhja e postës sekrete të prokurorisë së Durrësit dhe vetëm dy javë më pas vjedhja e zyrave të institucionit të akuzës në qytetin bregdetar ishin dy lajme që bënë xhiron e medieve e portaleve.

Ndërsa vjedhja e postës sekrete është ende një vepër pa autor, për vjedhjen e zyrave u ndaluan dy persona që dyshohet se janë hajdutët, si dhe polici i policisë private që kishte për detyrë ruajtjen e godinës.

Dy ngjarjet që duket se kanë lidhje me njëra-tjetrën kanë nxitur reagimin edhe të prokurorëve të Durrësit.

Njëri prej tyre, Madrid Kullolli, ka publikuar në profilin e tij në Facebook, shkrimin e opinionistit Dritan Kaba. Kullolli vlerëson fjalët e sakta të thëna për prokurorin Afrim Shehu, i cili në të dy rastet është bërë pre e hajdutëve. Në shkrim theksohet se “Paska edhe prokurorë që nuk blihen! I tillë qenka Afrim Shehu”.

Postimi i plotë i prokurorit Madrid Kullolli:

Te komentosh zhvillimet e dites eshte bere gje normale ne ditet e sotme, por te komentosh drejt mbi situate eshte dhunti e pak njerezve!
Faleminderit Dritan Kaba, per fjalet e sakta qe ke shkruar per kolegun tim Z.Afrim Shehu,te cilat po i postoj si vijon:

Nga Dritan Kaba.
Vjedhja e Prokurorisë në Durrës, na dha shpresë!
Paska edhe prokurorë që nuk blihen!
I tillë qenka Afrim Shehu.
Nuk e njoh fare, për herë të parë e dëgjoj emrin e tij por di të them që ky prokuror meriton të jetë Prokuror i Përgjithshëm.
Në fillim i vodhën postën sekrete, rast që nuk u zbulua, përkundrazi, u mbulua me shpejtësi. Kuptohet që e spiunuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, por edhe nga “kolegët” e Durrësit ose ish-shefat e tij. Kjo nuk mjaftoi.
I vodhën zyrën. Gjë që tregon se Afrimi, të dhënat e dosjeve nuk i nxirrte në pazar, por as i ndante me ata që e spiunuan dhe fshehën grabitjen e postës dhe mundësuan vjedhjen e zyrës.
InshAllah nuk e kap vetingu, për ta hequr qafe ate dhe për t’i çuar dosjet në dorën e ndonjë “kolegu” tjetër.
Aferim, realisht, Afrim!