Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vjedhjen e banesës së zyrtares së Kryeministrisë Alda Klosi nga pastruesja dhe djali i kësaj të fundit, Rozeta dhe Havier Dobri.

Në reagim, Rama shkruan se puna e drejtësisë së re nxorri në pah këtë “llum”, ndërsa thekson se me Reformën në Drejtësi, mburoja e vjetër politike ka rënë.

Reagimi:

Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!

E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!