7 dhjetor 2014–  Vjedhje sensacionale në selinë e Red Bull, në Milton Keynes të Britanisë së Madhe. Gjatë natës mes së premtes dhe së shtunës, një grup prej 6 njerëzish të veshur me të zeza kanë hyrë në sallën e trofeve duke vjedhur mbi 60 trofe të skuadrës së Formula Një. Gjatë operacionit janë përdorur 2 makina,  një 4×4 për të shembur hyrjen kryesore dhe një tjeter për transportin. Policia britanike bëri të ditur se të dy makina kishin targa të huaja dhe stafi i sigurisë nuk ka pësuar dëme fizike, ndërkohë që ju drejtua me një apel të gjithë qytetarëve që të informonin nëse kishin parë dicka apo ishin në dijeni të informacioneve që mund të shërbejnë hetimeve.

Shefi i skuadrës Red Bull, Christian Horner shfaqi gjithë tronditjen e tij për këtë akt.

“ Ndihemi të shkatërruar nga vjedhja në selinë tone e mbi 60 trofeve të grumbulluar me shumë vite punë. Është një dëm i madh për ne dhe personat që ishin në shërbim gjatë natës janë të tronditur. Përtej natyrës së vjedhjes, pyesim se përse dikush duhet të merrte ato trofe. Vlera e tyre është shumë e lartë për skuadrën, duke marrë në konsideratë sforcon e madhe që kemi bërë për ti fituar, por vlera në treg është e ulët dhe shumë nga trofetë e ekspozuar nuk ishin as origjinalë”.