Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot nga konferenca për mediat kryeministrin Edi Rama, si të përfshirë në të gjitha aferat në Shqipëri dhe skandalet korruptive, ku ka firmën në koncesione dhe prokurime.

Ai theksoi se edhe Portin e Durrësit me vlerë 4 mld dollarë, pasuri e popullit shqiptar, e shkatërroi dhe tani po sjell rusët për të ndërtuar për interesat e tij dhe kundër partnerëve strategjikë të vendit, si NATO.

“I vetmi kryeministër në botë dhe Evropë që ka fytyrën e tij të zezë mbi objektet publike me vlerë 130 milionë euro siç janë inceneratorët e Tiranës që nuk ekzistojnë. Rama ka dorën e tij të zezë në koncesionet e shëndetësisë, gjobë për shkatërrimin e sistemit shëndetësor dhe pasurimin e tij. Ka firmën e tij mbi të gjitha tenderat e rrugëve që shemben sikur të ishin rrugë kashte dhe të ndërtuara deri në 8 herë çmimin evropian. Ka dorën e zezë mbi shkatërrimin e Portit të Durrësit, pasuri kombëtare me vlerë 4 mld euro. Ai u përpoq të tërhiqet nga alternativa e NATO-s por dështojë me turp dhe tani kërkon ta ndërtojë me rusët dhe të tjerët, që kanë interesa të kundërta strategjike me NATO-n dhe Shqipërinë”, tha kreu i selisë blu.

Berisha theksoi se kryeministri nëpërmjet mbrojtjes së Belinda Ballukut po mbron veten e tij, duke aneksuar Parlamentin dhe mbrojtur të korruptuarit. Sipas tij, “Rama është i gatshëm për çdo skenar”.

“Ai tregoi sot se është i gatshëm për çdo skenar, që të mos paraqitet para ligjit dhe drejtësisë. Ndaj sot fjala është e qytetarëve, Parlamenti është totalisht i aneksuar, instrument i narkodiktaturës, i pushtuar nga Rama, drejtësia shumëzohet me zero nga Rama. Ai garantoi qytetarët se vjedhja nga zyrtarët nuk do ndëshkohet, se nuk do konsiderohet krim për qeveritarët”, vijoi lideri i opozitës.

Tani, për kryedemokratin, fjala i takon qytetarëve shqiptarë dhe bëri thirrje që më 12 mars të mblidhet e gjithë Shqipëria para Parlamentit.

“Fjala është e qytetarëve, në datën 12 e gjithë Shqipëria para Parlamentit, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi. Unë kam bindjen se shqiptarët, pavarësisht nga bindjet politike dhe që jetojnë me djersën e ballit, nuk do pajtohen kurrë me vendimin e Ramës që thonë se vjedhja e tij dhe e qeveritarëve nuk mund të ndëshkohet”, deklaroi ai.