Policia ka arrestuar hajdutin që qëndronte pas një sërë vjedhjesh që kanë ndodhur kohët e fundit në qytetin e Durrësit. Bëhet fjalë për 36-vjeçarin Eduart Gogoli, i cili mesa duket nuk e paska harruar zakonin e vjetër. Nga burime të policisë, mësohet se Gogoli sapo ishte liruar nga burgu më 21 janar të këtij viti, ku qëndronte prej 5 vitesh për të njëjtën vepër penale, vjedhjen.
Sapo u lirua nga burgu, vetëm tri ditë më pas, ai iu rikthye fuqishëm zanatit të vjetër duke marrë mbarë institucionet shtetërore e fetare në Durrës.
36-vjeçari nga Durrësi u vu në pranga pas finalizimit me sukses të operacionit të koduar “Zyrtari”.
Në periudha të ndryshme, duke filluar nga data 24.01.2016, në mënyrë kronologjike, ka kryer vjedhje në institucione dhe zyra të administratave shtetërore, si më poshtë:
Vjedhje e 1 laptopi të Kapitanerisë, Porti Durrës.
Vjedhje e 3 monitorëve të Drejtorisë së Autoritetit Portual Durrës.
Vjedhje e 1 Video Projektor dhe 1 ekspres kafeje në shkollën 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi”, Durrës.
Vjedhjen e shumës prej 5 000 lekë në Xhaminë, Durrës.
Vjedhje e 2 Laptopëve në Poliklinikën Qendrore, Durrës.
Vjedhje e 2 monitorëve në Spitalin Rajonal Durrës.
S.L.





