Itali, 2 maj 2014 – Grindjet e vazhdueshme mes një çifti të rinjsh dhe largimi nga shtëpia i gruas, ka shkaktuar një tragjedi në qytezën e Marinos, afër Romës.

Marco Monaco, 27 vjeç, është vrarë nga vjehrri i tij, pasi është prezantuar në shtëpinë e prindërve të nuses në orët e vona të natës dhe kërkonte rikthimin e saj në shtëpi, së bashku me fëmijën 20 muajsh.

27 vjeçari Monaco dhe bashkëjetuesja e tij, Federica Muntoni, 26 vjeç, administronin së bashku një piceri. Duket se 26 vjeçarja ankohej shpesh për mungesën e prindërve dhe kjo mesa duket ishte kthyer në një shkak për grindje të ashpra në çift.

Pas grindjes së fundit, Federica ishte larguar nga apartamenti bashkë me djalin e mitur për të shkuar në shtëpinë e prindërve të saj.

Marko ka shkuar në orën 1.30 të mëngjesit të së enjtes në shtëpinë e vjehrrit dhe i ka kërkuar të dashurës të rikthehej.

Por në këtë moment ka reaguar babai i 26 vjeçares dhe mes të dyve ka nisur një grindje e fortë.

Vjehrri, Enrico Muntoni, ka nxjerrë pistoletën dhe i ka qëlluar drejt e në zemër të riut, që ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Karabinierët kanë ndaluar Muntonin, i cili është shoqëruar për në burgun e Velletrit.    

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/