Interi vazhdon të monitorojë nga afër situatën për sa i përket një akordi të mundshëm me Shkodran Mustafin, futbollisti me origjinë shqiptare që luan tek Arsenali. Nëse mediat italiane janë disi më të kujdesshme me raportimet e tyre, ato angleze flasin për një ofertë të klubit zikaltër.Sipas shtypit britanik, në zyrat e “topçinjve” ka mbërritur një ofertë e rëndësishme për sa i përket mbrojtësit të kombëtares gjermane.
Sipas të përditshmes së njohur “Daily Mirror”, klubi milanez ka formuluar një ofertë për huazim të shoqëruar me blerjen e kartonit të Mustafit pas një viti për 22 milionë euro.Me Arsenalin që prej ditësh po përpiqet t’i rrëmbejë Monakosë mbrojtësin Lemar, pikërisht Mustafi mund të jetë ndër të sakrifikuarit e parë për merkaton në dalje nga ana e Arsen Venger. Fundjava në vazhdim do të jetë edhe treguesi më i qartë për sa i përket suksesit të kësaj marrëveshjeje, e cila do të përforconte Interin me një mbrojtës me përvojë përveçse një kampion bote.





