I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të  zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku do të takohet me personalitete të politikës shqiptare.

Sipas ambasadës së SHBA-së, qëllimi i kësaj vizite është për të shprehur mbështetjen e amerikanëve për integrimin e Shqipërisë në BE.

Escobar do të zhvillojë takime me liderët politikë në vendin tonë duke filluar nga Edi Rama, liderin e opozitës Lulzim Bashën si dhe Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.

Postimi i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:

Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike. Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime. Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.