Durrës, 1 shtator 2014  – Kishte ardhur të kalonte pushimet së bashku me bashkëshortin e saj, por ka humbur jetën në shtëpinë e marrë me qira në zonën e plazhit, në Durrës.

Ky ka qenë fati i keq i një 62 vjeçareje nga Teraca e Maqedonisë, e cila sipas hetimeve të para rezulton se është ndarë nga jeta në gjumë.

Si çdo mëngjes burri i 62 vjeçares është ngritur nga gjumi dhe i ka folur bashkëshortes së tij të ngrihej të bënte kafen.

Kur fjalët e tij kanë mbetur pa përgjigje, burri ka tentuar ta zgjonte gruan, por aty ka kuptuar se ajo kishte ndërruar jetë.

Mbërritja e ambulancës konfirmoi vdekjen e shtetases A.B., në trupin e së cilës nuk janë gjetur shenja dhune.

Mësohet se e moshuara vuante prej kohësh nga tensioni.

Sipas hetimeve të para dyshohet se ka qenë pikërisht kjo sëmundje që i ka marrë jetën, megjithëse Prokuroria e Durrësit konfirmon se po vazhdon hetimet për rastin.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/