Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur lidhur me nënshkrimin e Bordit të Paqes të Trump në Davos. Në një intervistë për median britanike BBC, Osmani theksoi se Kosova di si arrihet paqja, duke theksuar rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Presidentja Osmani theksoi se 26 vjet më parë Kosova ishte e shkatërruar nga lufta dhe se ndaj popullit aosokohe po kryhej gjenocid.
Ajo u shpreh ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera demokratike, i hapi rrugë paqes, lirisë dhe pavarësisë së vendit. Sipas presidentes së Kosovës, anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është hap historik për Republikën e Kosovës.
Deklarata e plotë e Osmanit:
“Le të kthehemi pak pas në kohë, 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Kundër popullit të Kosovës po kryhej gjenocid dhe, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, natyrisht me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike në mbarë botën, jetët tona u shpëtuan. Na u dha një shans për paqe. Na u dha një shans për të jetuar të lirë. Dhe sot, ne jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur dhe, më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që nuk e ka njohur luftën dhe që po e shijon paqen.
Në atë kohë, unë isha një fëmijë lufte, duke u rritur nën granata dhe, si të gjithë të tjerët në brezin tim, jetët tona ishin në rrezik. Por thelbi është ky: ajo që po dëgjonim atëherë ishin rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ishin copa letre, ishin fjalë, por nuk kishte asnjë veprim, derisa SHBA-ja ndërhyri dhe mobilizoi botën për të na ardhur në ndihmë. Ne kemi nevojë për një organizatë të fuqishme ndërkombëtare që merret me krijimin e paqes dhe arritjen e saj. Pastaj, natyrisht, OKB-ja do të përfshihej në ruajtjen e paqes. Jo. Jo. Krejt e kundërta. Këto organizata mund të punojnë dorë për dore, njëra duke u përfshirë në krijimin e paqes dhe arritjen e saj. Kemi parë se si vende si Rusia dhe Kina e kanë përdorur fuqinë e vetos. Për ne, rreshtimi me Shtetet e Bashkuara historikisht ka qenë vendimi i duhur, por është e rëndësishme që Kosova të jetë pjesë e një organizate ndërkombëtare sepse kjo forcon sovranitetin dhe pozitën tonë ndërkombëtare.
Në Bordin e Paqes, Rusia nuk ka veto. Kosova është ftuar si anëtare themeluese, si shtet i barabartë. Të gjitha vendet që po kritikojnë Bordin, ulen pranë Putinit në OKB, ulen pranë Rusisw që është vend anëtar i pwrhershëm në Këshillin e Sigurisë. Edhe Mbretwria e Bashkuar ulet krah Rusisw. Ndaj, do të thoja që wshtë më mirë të jesh pjesë e një organizate ndërkombëtare ku Rusia nuk ka të drejtën e vetos dhe nuk mund ta bllokojë paqen në botë.
Nuk na është kërkuar kurrë asnjë kontribut financiar, përkundrazi. Karta e Bordit të Paqes e bën të qartë se anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk nënkupton asnjë detyrim financiar për vendet dhe asnjë delegim të sovranitetit. Nuk na është kërkuar të paguajmë as në këtë fazë dhe as pas tre vitesh, përveç rasteve kur vendet dëshirojnë të kontribuojnë vullnetarisht. Bazuar në përvojën tonë 20-vjeçare se si ndërtohet dhe ruhet paqja, ne ofrojmë praktikat më të mira që i duhen Bordit të Paqes, jo vetëm për Gazën, por edhe për vende të tjera. Është koha jonë për t’i dhënë diçka botës dhe për t’u siguruar që paqja që kemi të ecë përpara,” tha Osmani.





