TIRANË – Pas dhënies sëdorëheqjes së gjyqtarit Agim Bendo nga çështja Balla-Malltezi, shorti i hedhur në Gjykatën e Tiranës ka përzgjedhur gjyqtaren Vjosa Zaimin.
Në seancën e sotme të pranishëm ishin vetëm avokatët. Avokati i deputetit socialist u shpreh se është gati të provojë që deklarimet e bëra janë të vërteta. Por, avokati i dhëndrit të kryeministrit u shpreh se këto deklarata kanë dëmtuar imazhin e Jamarber Malltezit.
Seanca e ardhshme e shqyrtimit të padisë do zhvillohet në 22 shkurt. Dhëndri i kryeministrit, e ka paditur deputetin socialist për shpifje dhe deklarim të rremë.
Në akt-padinë, citohet si provë një deklaratë e Ballës bërë vjeshtën e kaluar tek ish-kompleksi sportiv Partizani, se "Jamarber Malltezi po gllabëron pronat e shqiptarëve". Paditësi kërkon 2 milion lekë dëmshpërblim.





