Qeveria miratoi fondin shtesë në buxhetin e shtetit prej 800 milionë lekësh, për subvencionimin e pagesave të qirasë për familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës.

Në vendimin e Qeverisë thuhet se efekti financiar, prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.

Vendimi:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ nr.37, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për një ndryshim në aktin normativ nr.8, datë 7.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në programin e strehimit, shtohet fondi prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”, përkatësisht, në produktin për pagesat e subvencionimit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019.

Efekti financiar, prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Premtimet e Qeverisë deri në pranverën e 2022

4500 banesa të reja individuale do të përfundojnë, duke strehuar të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre.

13 mijë familjet që po trajtohen aktualisht me bonus qiraje do të vijojnë të marrin bonusin dhe përfitimet e tjera deri në ditën që do t’u dorëzohen çelësat e shtëpisë së re në dorë.12 mijë apartamente në lagjet e reja do të jenë ndërtuar duke strehuar të gjithë familjet që humbën apartamentet e tyre.

28 kantiere të reja të infrastrukturës publike do të kenë përfunduar deri në pranverën e vitit 2022.

Shkollat e reja po ngrihen shumë më të forta, shumë më moderne dhe për t’iu përgjigjur nevojave të kohës.

Brenda pranverës 2022 përfundon rehabilitimi dhe ndërtimi i mbi 160 çerdheve, kopshteve, shkollave e konvikteve.