Shoferëve të Urgjencës së Shërbimit Paraspitalor në Spitalin Universal Nënë Tereza prej tre muajsh u është ulur paga në 27 mijë lekë në muaj. Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë sqaron se VKM- ja e re që ka dalë ua ka rritur pagat, jo ulur.
15 shoferë të Urgjencës Paraspitalore në QSUT u ankuan në Fiks Fare se prej muajit korrik të këtij viti paga e tyre është ulur. Nga 30 mijë lekë në muaj ata kanë marre 27 mijë lekë. Ata kërkojnë të dinë se pse është bërë ky ndryshim i pagës së tyre me ulje dhe nëse ka ardhur si pasojë e VKM-së së re që ka hyrë në fuqi, atëherë ata duan të dinë se me çfarë statusi kualifikohen.
“Me këtë pagë që marrim prej korrikut e në vazhdim ne jemi barazuar me shoferët e ambulancave që transportojnë të sëmurët nga një spital në tjetrin”, shprehen ata, ndërkohë që tregojnë për Fiksin se punojnë 12 orë në ditë, madje edhe janë trajnuar si ndihmës mjek në raste kur fluksi është i lartë.