Florian Vlashi, një nga artistët durrsakë që nderon qytetin e tij në vendet perëndimore shprehet i zhgënjyer nga mos akordimi i fondit të programuar për bienalen “Netët e muzikës klasike”, një aktivitet kulturor i ideuar dhe mbështetur prej tij e që vitin e ardhshëm mbush plot 10 vjet ekzistencë. Vitin e kaluar, pavarësisht premtimeve, Vlashi nuk mundi të përfitonte shumën e parashikuar për të mbështetur këtë veprimtari, pasi mos funksionimi i këshillit të kulturës u shoqërua me djegien e fondeve për këtë aktivitet. Megjithëse falenderon pushtetin lokal për mbështetjen e ofruar gjatë gjithë këtyre viteve ai nënvizon se artistët nuk e ofrojnë artin e tyre falas.
“Për hir të së vërtetës duhet thënë se ky festival nuk do të kishte arritur deri këtu pa mbështetjen e bashkisë së Durrësit. Në fillim, me një shifër tepër modeste, por vetë prezenca në koncertin e parë të kryetarit Fatmir Hoti ishte një përqafim simbolik, që na bëri të ndiheshim mirë e të besonim se ishim në rrugë të mbarë. Kjo përkrahje erdhi duke u forcuar, sepse pushteti vendor kuptoi shpejt se ne nuk po talleshim. Me strukturën, grupet, repertorin, veprat e porositura enkas në çdo edicion dhe me Konkursin e Talenteve të rinj durrsakë, po kryenim një shërbim ndaj qytetit. Nuk e di pse, por për edicionin e verës së kaluar 2011, nuk kemi marrë ende financim!
Nuk e dimë akoma pse-në: kriza ekonomike, kriza Coppola, kriza e mushkonjave…nuk e di. Di që shifra për ne është O. Është një shifër fyese. Megjithëse përpiqem ta shikoj nën dritën e numerologjisë “nga Asgjëja mbërrihet tek e Gjitha”. Tani për tani jemi tek Asgjëja. Nuk duhet harruar që Arti, si të gjitha profesionet e tjera, ka koston e vet. Unë nuk njoh asnjë restorant që të shërbejë pjatat gratis. Nuk njoh asnjë hidraulik, dentist, floktore, taksist etj, që nuk kërkon hakun e punës. Por, nëse ka të tillë altruistë, nuk më duket e moralshme të abuzohet me ta. Nëse nuk paguhet një koncert, një festival, një event artistik, pushteti nuk duhet të besojë se edhe kështu u bëka. Kështu do të arrijmë shpejt në fund të udhëtimit. Më vjen ndërmend një humor i hidhur i Nastradinit: “Sa e mësova gomarin të mos hajë, më ngordhi”,- thotë Vlashi.