- Dita e djeshme u mbyll shumë keq për aksionet e kompanisë Bankers të emetuara në bursë. Vlera tregtare e kompanisë u tkurr me së paku 80 milionë dollarë pas vendimit të tatimeve shqiptare për t’i bllokuar llogaritë bankare në Shqipëri.
22 Nëntor 2015 – Sipas të dhënave të Bursës së Torontos, aksionet e kompanisë filluan të shiten që në mëngjes me publikimin e lajmit, duke sjellë edhe rënien drastike të vlerës nga 2.1 dollarë për aksion që qe në mëngjes në 1.6 dollarë për aksion rreth orës 11. Në orët e mesditës, vlera e aksioneve pësoi një rritje të lehtë deri në 1.75 dollarë për njësi, por pasdreke, aksionet ranë sërish duke e mbyllur ditën në nivelin 1.65 dollarë për aksion, rreth 21.4 për qind më pak se sa çmimi i hapjes së bursës.
Vlera tregtare e kompanisë, e cila matet si shumëzim i çmimit për aksion me numrin e aksioneve të emetuara, për rrjedhim ra në 431 milionë dollarë, rreth 80 milionë më pak se sa në fillim të ditës.
Bankers Petroleum konsiderohet një kompani me rrezik të lartë dhe vlera e aksioneve të saj në bursë ka pësuar luhatje të forta përgjatë të gjithë historisë së kompanisë, e ndikuar kryesisht nga rënia ose rritja e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar. Në ditën e saj më të mirë, rreth vitit 2011, aksionet e Bankers kushtonin gati 10 dollarë për njësi dhe vlera tregtare e kompanisë llogaritej në mbi 2 miliardë dollarë. Pavarësisht kësaj, dita e djeshme shënoi edhe nivelin më të ulët të aksioneve të kësaj kompanie në bursë.
Bankers deklaroi në orën 9 të ditës së djeshme me orën e Torontos se administrata tatimore shqiptare i ka bllokuar llogaritë bankare në Shqipëri dhe se kërkon të ekzekutojë një faturë prej 75 milionë dollarësh detyrimesh tatimore, faturë e krijuar nga një rivlerësim tatimor mbi shpenzimet e njohura si investime të kësaj kompanie.
Por Bankers thotë se tatimet kanë shkelur marrëveshjen e koncesionit me të cilën kjo kompani operon në Shqipëri, marrëveshje e cila thotë se në rast se palët kanë diskutime mbi shpenzimet dhe nuk arrijnë t’i zgjidhin këto diskutime me mirëkuptim, të dyja zgjedhin një auditor të pavarur ndërkombëtar për të kryer vlerësimin.
Aktualisht, Bankers dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore janë në procesin e përzgjedhjes së auditorit të pavarur. Rrjedhimisht, veprimet e administratës tatimore janë konsideruar të paligjshme nga Bankers, e cila njoftoi se do të ankimojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazh
/Autor: Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë/