Etrit Berisha ishte autor i një tjetër mbrëmje të madhe në sfidën e djeshme ndaj Bolonjës. Gardiani i Kombëtares së Shqipërisë, në disa raste tregoi reflekse të mrekullueshme duke mbajtur portën e paprekur. Megjithatë, portieri u mposht vetëm në minutat shtesë duke mos shmangur disfatën e të tijve.

Por, po të mos ishte për Berishën rezultati fare mirë mund të mos fiksohej në shifrat 1-0, pasi rastet e Bolonjës ishin flagrante. Edhe në notat pas ndeshjes, Berisha ka rezultuar si njeriu i ndeshjes, teksa në vlerësimin e dhënë nga Eurosport, 30-vjeçarit i është akorduar nota 8.

“Nota tetë pavarësisht humbjes. Monumental në të paktën pesë raste. Tentoi mrekullinë e fundit përballë goditjes me kokë të Sorianos por nuk ia doli”, shkruhej në përshkrimin për ndeshjen e portierit.

Kështu, Berisha e ka nisur si protagonist këto dy javë me Spalin, ndërsa fatkeqësisht pavarësisht mrekullive të shqiptarit, pjesa tjetër e skuadrës nuk është përgjigjur në apel, teksa Spal ende nuk ka marrë pikët e para në Serie A.