Luhet në "Loro Boriçi" një nga sfidat më interesante të javës së 2-të të Superiores. Vllaznia pret Teutën në një duel mes dy skuadrash të barabarta, për sa i përket cilësive që zotërojnë. Sezonin e kaluar shkodranët dhe durrsakët u përballën në 6 raste mes kampionatit dhe Kupës dhe gjithçka rezultoi në baraspeshë të plotë me nga 2 fitore për secilën skuadër ndërsa dy sfida përfunduan në barazim, me dallimin e vetëm që Teuta arriti t'i eliminonte kuqeblutë nga Kupa e Shqipërisë.

Sezoni i ri ka nisur me këmbën e mbarë si për Vllazninë që fitoi 2-0 ndaj Lushnjes në transfertë ashtu edhe për Djemtë e Detit të cilët në "Niko Dovana" në javën e parë kaluan 2-1, Luftëtarin. Të dyja ekipet kanë ndryshuar shumë nga një vit më parë, Vllaznia vjen me një mesfushë të riformatuar nga e para ku spikasin emrat e rëndësishëm si Edon Hasani, Gilman Lika, e Erjon Vucaj  ndërsa skuadra e Maganit ka ndryshuar në të gjitha repartet.

Tek Teuta drejtuesit e kanë bërë publik objektivin që është kualifikimi në Kupat e Europës, ndërkohë që te Vllaznia edhe pse ëndërrojnë një nga 4 vendet e para të kampionatit, trajneri Armando Cungu kërkon ta mbajë skuadrën me këmbë duke i marrë ndeshjet një e nga një.

Shkodranët për sfidën e kësaj të diele ndaj Teutës kanë rikuperuar dy lojtarë shumë të rëndësishëm në repartin e mbrojtjes pasi janë rikthyer në dispozicion të trajnerit Armando Cungu, Denis Pjeshka dhe Erdenis Gurishta, i gatshëm është edhe Bardulla, ndërkohë që mungesa e vetme për kuqeblutë do të jetë ajo e Alsid Tafilit i cili vazhdon të jetë i dëmtuar. Magani në krahun tjetër e ka të plotë grupin e futbollistëve dhe shpreson te një tjetër paraqitje pozitive e të tijëve pas asaj ndaj Luftëtarit. Vllaznia apo Teuta, kreu i klasifikimit për të paktën disa orë do të vendoset në Shkodër.