Tiranë, 12 shtator 2014 –  Akuza të ndërsjellta mes Vllaznisë dhe Tiranës për ngjarjet e shëmtuara të Loro Boricit, ku mbetën të plagosur me dhjetëra tifozë si dhe disa anëtarë të forcave të rendit. Administratori i Vllaznisë, Neritan Kalamishi, në një deklaratë për shtyp për mediat, drejton gishtin nga ultrasit e Tiranës, si shkaktarët e dhunës së paprecedentë në sfidën mes dy klubeve më me traditë të futbollit shqiptar.

Kalamishi më pas këmbëngul se donatori Refik Halili, të cilin e përgëzon për iniciativën që ndërmori për qetësimin e situatës, është goditur nga tifozët e Tiranës.

Edhe më i ashpër ishte reagimi i KF Tiranës në një deklaratë për shtyp, ku akuzon klubin e Vllaznisë për dështimin në organizimin e ndeshjes.

"KF Tirana është dhunuar në të gjitha mënyrat dhe klubi do te reagojë ashpër ndaj të gjithë aktorëve dhe faktorëve që e sollën këtë shfaqje të shëmtuar. Organizatorët e takimit dështuan të merrnin masat e nevojshme për zhvillimin normal të nje ndeshje futbolli. Forcat e rendit deshtuan te menaxhonin situatat e tensionit mes tifozeve dhe paaftesia e tyre solli me pas edhe perdorjen e dhunes pa shkak ndaj tifozeve te Tiranes. Vendasit e kishin pergatitur me paragjykim kete takim ashtu si kane permendur edhe ne deklaraten e tyre zyrtare ku kane permendur ndeshjen e prillit ne kryeqytet. Skuadra eshte share dhe ofenduar ne korr pa nisur ndeshja, gjate saj dhe goditur me sende te forta nga tifozet e Vllaznise ne perfundim. Tifozet e Tiranes jane goditur me sende te forta nga jashte stadiumit pergjate gjithe ndeshjes dhe masivisht ne perfundim te saj".

Ndër të tjera në këtë deklaratë shënjestrohet edhe policia e Shkodrës, që sipas Tiranës është bërë palë me klubin vendas.

"Policia jo vetem qe deshtoi te merrte masat e nevojshme, por ne shume momente u be pjese me tifozerine vendase duke goditur barbarisht tifoze te Tiranes, femije, te moshuar dhe femra. Policia e Shkodres u hapi dyert tifozeve te Vllaznise per te hyre ne fushe pasi tifozet e Tiranes per tu mbrojtur nga sendet e forta kishin lene sektorin e tyre. Policia e Shkodres pergjate gjithe situates kaotike ka perdorur fjale banale, shkopinj gome dhe dhune fizike. Vllaznia eshte pergjegjese si organizatore e takimit. Federata Shqiptare e Futbollit eshte gjithashtu fajtore per licensimin e nje stadiumi qe nuk permbush asnje nga kushtet minimale te sigurise. Gjyqtaret e ndeshjes u bene pjese e shfaqjes se dhunshme duke lejuar sharjet e tifozeve shkodrane ndaj skuadres, tifozeve dhe qytetit te Tiranes, ndryshe nga sa ndodh ne stadiume te tjera".

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/