Defekti i rëndë në tubacionin kryesor, që la qytetin e Vlorës pa ujë të pijshëm për pesë ditë me radhë, ka vënë në lëvizje institucionet ligjzbatuese.
Ngjarja, që preku mijëra familje, biznese dhe institucione publike, konsiderohet e papranueshme për një qytet turistik dhe qendër urbane si Vlora.
Sipas informacioneve zyrtare, Policia ka nisur veprimet e para procedurale, duke sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një subjekti privat pranë zonës ku ndodhi defekti.
Pamjet do t’i referohen Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e saktë të momentit dhe rrethanave të ngjarjes.
Hetimet do të synojnë të përcaktojnë nëse defekti ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubacionit, mungesës së investimeve, neglizhencës në mirëmbajtje apo faktorëve të tjerë që mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë.
Ndërprerja e furnizimit me ujë për pesë ditë ka sjellë reagime të forta nga qytetarët, të cilët janë përballur me vështirësi serioze në jetën e përditshme.
Autoritetet pritet të hedhin dritë mbi shkaqet reale të defektit dhe të përcaktojnë përgjegjësit konkretë për këtë situatë.





