28 korrik 2013 – Tre persona janë vrarë më armë zjarri mesditën e sotme në një plazh privat në bregdetin e Vlorës.
Ngjarja e rëndë është shënuar në vendin e quajtur Kalaja, pranë Ujit të Ftohtë ku një person ka hapur zjarr me kallashnikov dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen 3 persona.
Sipas informacioneve më të fundit viktimat janë Ermal Sokol Isufi nga Fieri, Diana Ademi, 53 vjeçe si dhe 17-vjeçari Serdi Bajlozi nga Prrenjasi, të cilët janë dërguar në morgun e spitalit të Vlorës.
Dyshohet se nga të shtënat ka edhe persona të tjerë të plagosur pasi plazhi ka qënë i mbipopulluar në momentin e krimit.
Sipas informacioneve, autori i krimit është larguar menjëherë nga vendngjarja me një makinë fuoristradë me targa të huaja.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë marrë në pyetje disa persona si dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë si pasojë e krimit të rëndë është bllokuar për disa orë qarkullimi i automjeteve në aksin Uji i Ftohtë-Radhimë.





