Dy persona u arrestuan sot nga Policia e Vlorës, pasi dyshohen si autorët që kanë kryer vjedhjen e disa automjeteve, duke përdorur një mekanizëm të sofistikuar. Të prangosurit janë shtetasit M. M. dhe D. M., që të dy banues në Kamëz, në Tiranë. Policia dyshon se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta dy persona kanë kryer vjedhjen e disa automjeteve, duke përdorur një mekanizëm që bllokonte mbylljen me pult të mjeteve nga ana e përdoruesve të tyre.

Këta të fundit largoheshin nga mjeti të bindur që e kishin mbyllur makinën e tyre dhe pikërisht në këtë moment vepronin dy personat, që hapnin dyert normalisht pa u detyruar që të kryenin ndonjë thyerje. Policia thotë se ka dokumentuar një sërë vjedhjesh të kryera vetëm gjatë ditëve të fundit.