Dy persona janë proceduar penalisht nga policia e Vlorës, pasi nuk kanë deklaruar në kufi një shumë prej më shumë që kalon vlerën e 31 mijë eurove. Bëhet fjalë për dy drejtuesit e një autobuzi, të cilët janë kthyer në Vlorë me traget nga Italia. Ata janë shtetasit me iniciale B.K 46 vjeç dhe S.V 29 vjeç, të dy banues në qytetin e Vlorës.

Njoftimi:

Vlorë/Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave. Sekuestrohen 31 805 euro të padeklaruara. Procedohen penalisht 2 shtetas, drejtues të automjetit ku u gjetën 4 pakot me euro.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në autobusin e një agjencie udhëtimi. Në pjesën fundore të një sediljeje, u gjetën dhe u sekuestruan 31 805 euro, të ndara në 4 pako të mbështjella me letër celofani.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për 2 drejtuesit e autobusit, shtetasit B. K., 46 vjeç dhe S. V., 29 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Automjeti dhe shuma e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.