Një shtetas u mbyt pasi varka ku ndodhej u përmbys. Ngjarja ndodhi në grykëderdhjen e lumit Vjosa, në fshatin Dëllënjë të Vlorës. Në bordin e varkës ndodheshin katër persona, teksa peshkatari V. K., 23-vjeç, është mbytur. Tre personat e tjerë arritën të shpëtojnë. Ata kishin dalë për peshkim. Përmbytja ka ndodhur për shkak të dallgëve të forta në det.

"Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se në grykëderdhjen e lumit Vjosë kanë qenë kater shtetas duke lundruar mbi një varkë me qëllim për të kaluar në anën tjetër të lumit. Në mes të lumit, varka është përmbysur dhe tre prej këtyre shtetasve kanë mundur të dalin nga lumi duke notuar, ndërsa njëri prej tyre nuk ka mundur t'ia dalë dhe për pasojë dyshohet të jetë mbytur në ujë pasi ende nuk është bërë e mundur gjetja e tij," – sqaron Policia e Shtetit.

Më tej thuhet se forcat e ruajtjes se rendit ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për gjendjen e trupit të shtetasit V. K., banues në fshatin Poro të Vlorës.