Partia Demokratike njofton se qindra qytetarë të Vlorës kanë protestuar sot me abuzimin e madh financiar e mjedisor, siç është projekti i lungomares. Drejtues të PD në ishin në krah të qytetarëve dhe kërkesave të tyre. Ata iu bashkuan protestës së vlonjatëve, për katastrofën mjedisore që po shkakton projekti i Ramës. "Jemi mbledhur sot për të protestuar. Ka një thënie, se një pamje vlen më shumë se  një mijë fjalë. Mjafton që kameramanët të pasqyrojnë pamjen dhe kuptohet se sa e drejtë është protesta jonë paqësore. Ka tre vjet kjo gjendje, tre vjet që qytetarët e Vlorës edhe nëse duan të bëjnë një shëtitje buzë detit ku janë rritur, jo vetëm që nuk kanë mundësi, por ambienti është mbytës. Mashtrim i madh duke marrë parasysh propagandën që na u bë para zgjedhjeve se do ju bëjmë Lungomaren si një mrekulli të Vlorës," – tha një protestues.

Deputetja demokrate Liliana Elmazi e krahasoi gjendjen e lungomares me shkatërrimet e tritolit në të gjithë bregun e jugut. "Nga informacionet që kam, pasi ky projekt nuk është fare transparent, nuk ka fare projekt, janë harxhuar 1.7 milionë euro, por çfarë kanë bërë. Kanë marrë rërë dhe shtuf, çakull e në fund mbulohet me rërë. Ky është projekti madhor i kryeministrit për Vlorën. Unë nuk habitem aspak, por as qytetarët." – tha ajo. Sekretari për aksionin qytetar Ervin Salianji, duke iu referuar protestës së Partisë Demokratike në çdo cep të Shqipërisë, theksoi se ky është i vetmi mjet që u ka mbetur shqiptarëve, përballja, protesta dhe rezistenca deri në në largimin e së keqes që ka kapluar këtë vend. "Është fatkeqësi e madhe që Rama është kryeministër, të cilën po e tregon me modelin e tij qeverisës. Është dy herë fatkeqësi që është deputet i Vlorës sepse i vetmi investim serioz që mendon Edi Rama për Vlorën, është investimi i Koço Kokëdhimës si deputet, si pasha i zonës, si njeriu i cili kontrollon çdo interes dhe çdo influencë në Vlorë. Ka tre vjet që kryeministri tregon skica, projekte nëpër media dhe ka tre vjet që e famshmja lungomare e Vlorës nuk po bëhet, ka tre vjet që gjendja në këtë qytet, si më atraktivi dhe turistik i Shqipërisë, është në gjendje skandaloze," – tha Salianji.